E Hënë, 2 Nëntor 2026

Superliga, Reali hidhet në sulm: Do të kërkojmë kompensim nga UEFA për dëmet që pësuam

Real Madridi është gati të përballet kokë më kokë me UEFA-n, pas vendimit të Gjykatës së Madridit në rastin e Superligës, i cili konfirmoi abuzimin me një pozicion dominues nga organi qeverisës i futbollit evropian. Përmes kanaleve zyrtare, klubi i Florentino Pérez është gati të kërkojë “kompensim për dëmet e konsiderueshme të pësuara”.

Gjykata e kryeqytetit spanjoll mbështeti në apel pretendimin se UEFA “ka abuzuar me pozicionin e saj dominues” në përpjekjen për të parandaluar krijimin e garës alternative evropiane në vitin 2021. Ky vendim vjen pas një vendimi të vitit 2023 nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, e cila kishte konstatuar tashmë se UEFA dhe FIFA kishin ushtruar pushtet të tepruar, duke penguar konkurrencën e lirë në tregun evropian të futbollit.

Sipas AFP-së, gjykata spanjolle vendosi që të dy organet “penguan konkurrencën e lirë duke vendosur kufizime të pajustifikuara dhe joproporcionale në Superligë”.

“Real Madridi mirëpret vendimin e Audiencia Provinciale de Madrid për të refuzuar ankesat e paraqitura nga UEFA, RFEF dhe LaLiga, duke konfirmuar se UEFA, në lidhje me Super Ligën, ka shkelur rëndë rregullat e konkurrencës të Bashkimit Evropian, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së, duke abuzuar me pozicionin e saj dominues”, thuhet në deklaratë.

“Ky vendim i hap rrugën klubit për të kërkuar kompensim të konsiderueshëm për dëmet e pësuara. Klubi njofton se do të vazhdojë të punojë për të mirën e futbollit global dhe tifozëve të tij, ndërsa njëkohësisht kërkon kompensim nga UEFA për dëmet e konsiderueshme të pësuara”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›