Superliga, Tirana-Teuta dhe Egnatia-Dinamo City mbyllen pa gola

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Tirana-Teuta dhe Egnatia-Dinamo City përfunduan me rezultatin 0-0. Ndeshjet e vlefshme për ditën e parë të javës së shtatë të Superligës shqiptare të futbollit dhuruan shumë raste dhe kartonë të kuq, por nuk ofruan emocionin e golit.
Në Tiranë, bardheblutë nuk ishin agresivë dhe të frikshëm si në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit, por u mjaftuan të mbroheshin gjatë gjithë takimit, duke i lënë lojën në duar të durrsakëve. Teuta arriti të krijonte të paktën tre raste të pastra për gol, por portieri bardheblu arriti të mbante topin larg rrjetës së Tiranës.
Në krahun tjetër, në Rrogozhinë, sfida mes Egnatias dhe Dinamo City zgjati thuajse 100 minuta, për shkak të tensioneve dhe kartonëve të kuq të marrë gjatë lojës, e cila pati raste nga të dyja anët. Fillimisht me karton të kuq (dy kartonë të verdhë) u ndëshkua lojtari i Dinamo Cityt, Lorra dhe më pas për të njëjtin shkak u ndëshkua me kartonë të kuq gjatës shtesës në pjesën e dytë edhe lojtari i Egnatias, Xhemajli.
Me këtë rezultat, Egnatia humb kreun e klasifikimit që e mbante me pikë të barabarta me Vllazninë. Tashmë kampionët në fuqi ndodhen në vendin e dytë me 14 pikë, dy më pak se Vllaznia kryesuese pas fitores në Ballsh në ndeshjen që çeli javën e shtatë të Superligës.
Dinamo City, me barazimin në Rrogozhinë, ruan vendin e tretë me 11 pikë, po aq sa Teuta dhe Elbasani. Verdheblutë luajnë të dielën ndaj Vlorës, teksa Teuta barazoi në kryeqytet përballë Tiranës. Bardheblutë, me barazimin e arritur të shtunën pasdite, ngjiten në kuotën e 6 pikëve, po aq sa edhe Bylisi, dhe presin sfidën mes Flamurtarit dhe Partizanit për të kuptuar fatin e tyre.
Këto rezultate e bëjnë gjithnjë e më emocionuese sfidën për play-off, por edhe betejën për mbijetesë.
Kalendari dhe rezultatet e javës së shtatë
Bylis – Vllaznia 0-1
Egnatia – Dinamo City 0-0
Tirana – Teuta 0-0
Të dielën, ora 17:00
Elbasani – Vora
Flamurtari – Partizani
Klasifikimi: Vllaznia 16 pikë, Egnatia 14, Elbasani 11, Teuta dhe Dinamo City 11, Vora 7, Bylis dhe Tirana 6, Partizani 4, Flamurtari 2.
*Partizani, Vora, Elbasani dhe Flamurtari kanë një ndeshje më pak.
/a.f/