Superliga, Vllaznia mund Egnatian, barazim mes Elbasanit e Flamurtarit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Dy ndeshjet e tjera të luajtura sot të vlefshme për Javën e 19-të të Superiores, janë mbyllur njëra në barazim dhe tjetra me triumfin e skuadrës së Vllaznisë.
Elbasani-Flamurtari u luajt në “Elbasan Arena” dhe u mbyll me rezultatin barazim 1-1.
Elbasani dominoi ndeshjen deri në minutën e 80-të. Goli i verdhebluve erdhi nga penalltia me Diallon në minutën e 73-të, ndërsa në minutën e 80-të Oshafi vendosi baraspeshën për vlonjatët.
Në përfundim të 19 javëve, Elbasani mban vendin e dytë me 3 pikë më pak se Egnatia kryesuese. Flamurtari ndërkohë renditet i parafundit, teksa numëron 4 pikë më pak se Vora që ndodhet jashtë zonës së ftohtë.
Ndërsa, ndeshja Vllaznia-Egnatia përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Vllaznisë.
Aksioni spektakolar i finalizuar nga Kallaku në minutën e 27-të, do të vuloste fitoren e Vllaznisë. Shkodranët u mbrojtën me kujdes duke mbajtur sa më larg portës së tyre rrogozhinasit, të cilët u ndalën para portës shkodrane në disa raste gjatë ndeshjes.
Sot u luajt dhe sfida mes Tiranës dhe Bylisit në Ballsh, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 1-0.
/e.i/r.e/a.f/