E Diel, 1 Nëntor 2026

Supersfida Egnatia–Vllaznia mbyllet pa gola, shkodranët ruajnë kreun

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Supersfida e javës së 28-të mes Egnatias dhe Vllaznisë në Rrogozhinë përfundoi në barazim 0-0, në një ndeshje të luftuar dhe të shoqëruar me polemika.

Skuadra e Egnatias dominoi për pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi disa raste të mira për të kaluar në avantazh. Megjithatë, portieri Pohls dhe mungesa e saktësisë në finalizim nga lojtarët vendas bënë që rrjetat të mbeteshin të paprekura.

Momenti më i diskutuar i ndeshjes erdhi në minutën e 71-të, kur Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli ndaj Balajt.

Vendimi i arbitrit shkaktoi protesta të forta nga kampi vendas, madje lojtarët e Egnatias u tërhoqën për disa minuta nga fusha përpara se të riktheheshin për të vazhduar lojën. Për protesta u ndëshkua me karton të kuq edhe trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.

Edhe pse me një lojtar më pak, Egnatia vijoi të sulmonte dhe iu afrua disa herë golit, por pa arritur të zhbllokonte rezultatin.

Me këtë barazim, Vllaznia mban vendin e parë në renditje me 52 pikë, ndërsa Egnatia renditet në vendin e dytë me 50 pikë, duke mbajtur të hapur garën për kreun e kampionatit.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›