Sylvinho i mahnitur nga Shqipëria: Një bujari që nuk e kam përjetuar askund tjetër

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, vazhdon të tërheqë vëmendjen jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për vlerësimet e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në një intervistë të dhënë për median braziliane “Bola Quadrada”, tekniku kuqezi ka ndarë përvojën e tij personale, duke e cilësuar mikpritjen shqiptare si të pazakontë.
Pak ditë përpara sfidës ndaj Polonisë në “play-off”-in për Kupën e Botës 2026, Sylvinho u shpreh se ndjehet i privilegjuar që drejton Shqipërinë në një moment historik, ku ekipi synon kualifikimin e parë në një Botëror.
“Kam luajtur në vende të ndryshme të botës dhe për klube të mëdha, por nuk kam përjetuar kurrë një sjellje të tillë. Populli shqiptar është jashtëzakonisht bujar, sidomos me të huajt”, u shpreh ai.
Trajneri brazilian solli edhe shembuj konkretë nga përditshmëria e tij në Shqipëri, duke treguar se shpeshherë është surprizuar nga gjeste të vogla, por domethënëse. Ai rrëfeu se në restorante, persona të panjohur i kanë paguar faturën në mënyrë diskrete, pa kërkuar asgjë në këmbim.
“Ka ndodhur disa herë që dikush nga një tavolinë tjetër të paguajë ushqimin tonë dhe thjesht të përshëndesë nga larg. Është diçka që nuk e kam parë askund tjetër në jetën time”, theksoi Sylvinho.
Sipas tij, kjo mikpritje e veçantë nuk është vetëm një element kulturor, por edhe një motivim shtesë për të dhënë maksimumin në drejtimin e ekipit kombëtar.
“Kjo sjellje më rrit përgjegjësinë për të bërë më të mirën. Kur përfaqëson një komb, ndjen një detyrim edhe më të madh për t’iu përgjigjur këtij respekti”, shtoi ai.
Në përfundim, Sylvinho e cilësoi bujarinë e shqiptarëve si një nga tiparet më të spikatura që e ka bërë përvojën e tij në Shqipëri unike, duke e ngritur këtë vlerë në “piedestalin” e karakterit kombëtar.
/gj.m/a.f/r.e/