TEHERAN – Irani bën thirrje për dënimin e kërcënimeve të Trump

TEHERAN, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Irani ka bërë thirrje për dënim ndërkombëtar të kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump kundër Republikës Islamike.
“Kërcënimi për të përdorur forcën kundër shteteve të tjera është një shkelje e hapur e Kartës së OKB-së dhe duhet të dënohet”, tha sot ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi.
Në një letër drejtuar homologëve të tij, Araghchi i përshkroi kërcënimet e Trump si “dëshmi të keqdashjes”.
“Uashingtoni duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat e kërcënimeve të tilla”, shtoi kryediplomati iranian.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian lëshoi dje një paralajmërim të ashpër në përgjigje të kërcënimeve të bëra nga Trump, i cili tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse vendi refuzonte marrëveshjen e re bërthamore.
“Republika Islamike e Iranit do t’i përgjigjet vazhdimisht çdo agresioni dhe do ta bëjë agresorin të pendohet për veprimin e tij”, shkroi Pezeshkian në platformën X.
Gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të hënën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump tha se do të mbështeste sulmet e mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse Teherani refuzonte marrëveshjen e re bërthamore dhe vazhdonte të avanconte me programet e tij bërthamore.
Izraeli zhvilloi luftë kundër Iranit për 12 ditë në qershor, duke bombarduar objektet kryesore bërthamore në vend, së bashku me SHBA-në.
Pavarësisht armëpushimit, një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis armiqve të përbetuar nuk është në horizont dhe në të dy vendet kanë qarkulluar raporte për një rifillim të mundshëm të luftës.
Sipas burimeve izraelite, Irani po punon intensivisht për të rindërtuar arsenalin e tij raketor, i cili, së bashku me programin e tij bërthamor, shihet nga Izraeli si një kërcënim i madh. //a.i/