E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Ben-Gvir bën thirrje për vrasjen e më shumë palestinezëve në Gaza

TEL AVIV, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i krahut të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje për vrasjen e më shumë palestinezëve në Gaza, në prag të bisedimeve për rendin e ardhshëm në territorin e shkatërruar nga lufta.

Ai tha gjithashtu se nuk është dakord me kryeministrin Benjamin Netanyahu për këtë çështje.

Ben-Gvir, kreu i partisë së ekstremit të djathtë ”Otzma Yehudit” (”Fuqia Hebraike”), i bëri deklaratat në një podcast me ish-pengun izraelit në Gaza, Rom Braslavski.

Podcasti u publikua të shtunën në mbrëmje.

”Unë mendoj se në Gaza duhet të kryhen vrasje të shënjestruara, duke eliminuar 30, 40 persona çdo natë”, tha Ben-Gvir.

Ai sqaroi se nuk e kishte fjalën vetëm për militantët palestinezë që përbëjnë kërcënim të menjëhershëm.

Sipas tij, në Gaza ka edhe persona që ”nuk meritojnë të jetojnë”.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, dënoi deklaratat e Ben-Gvirit në një postim në X sot paradite.

”Ky kriminel sionist flet njëkohësisht për dëbimin e palestinezëve dhe për ndërtimin e vendbanimeve në të gjithë Rripin e Gazës”, shkroi ai.

“Këto deklarata duhet të ruhen si prova për një proces të ardhshëm gjyqësor”, shtoi Gharibabadi.

Deklaratat e Ben-Gvirit vijnë në prag të bisedimeve të reja diplomatike për të ardhmen e Gazës, të ndërmjetësuara nga Jared Kushner, i dërguari amerikan dhe dhëndri i presidentit Donald Trump.

Kushner zhvilloi dje në Egjipt bisedime me presidentin Abdel Fattah al-Sissi dhe përfaqësues të Hamasit lidhur me të ardhmen e Rripit të Gazës.

Ai pritet të takohet sot në Izrael me kryeministrin Netanyahu.

Në takim pritet të marrin pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe Nickolay Mladenov, përfaqësuesi i lartë për Gazën në bordin e Trumpit për Paqen./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›