E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli urdhëron evakuimin e 24 qyteteve dhe fshatrave në jug të Libanit

TEL AVIV, 13 qershor /ATSH-AFP/ –  Ushtria e Izraelit urdhëroi sot evakuimin e banorëve nga 24 qytete dhe fshatra në jug të Lebanit, pas një serie sulmesh me dronë që, sipas saj, u kryen nga milicia shiite Hezbollah kundër veriut të Izraelit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, u bëri thirrje banorëve në gjuhën arabe që të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri të lumit Zahrani për arsye sigurie.

Ai paralajmëroi se kushdo që qëndron pranë luftëtarëve të Hezbollahut, objekteve ose depove të armëve të grupit, rrezikon jetën.

Nuk dihet ende se sa persona preken nga ky urdhër evakuimi.

Pas paralajmërimit izraelit, burime të sigurisë në Liban raportuan sulme të rënda izraelite me avionë luftarakë, dronë dhe artileri ndaj objektivave në zonat e prekura, përfshirë Kfar Ruman, Nabatiyeh dhe kodrat përreth.

Ushtria izraelite nuk i konfirmoi menjëherë këto raportime.

Sipas burimeve lokale, pjesë të mëdha të Nabatiyeh dhe Kfar Ruman ishin tashmë pothuajse të zbrazura nga banorët përpara paralajmërimit të fundit.

Më herët, ushtria izraelite kishte njoftuar për disa alarme ajrore në veri të vendit pas dyshimeve për sulme me dronë nga Hezbollahu.

Ndër zonat e prekura ishin edhe qytetet kufitare Metula dhe Misgav Am.

Një armëpushim mes Izraelit dhe qeverisë së Libanit është në fuqi që prej muajit prill, por incidentet e sigurisë dhe shkëmbimet sporadike të zjarrit kanë vazhduar të mbajnë të larta tensionet përgjatë kufirit. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›