E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli vret një tjetër komandant të Hamasit në Gaza

TEL AVIV, 13 gusht /ATSH- DPA/ – Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë një tjetër anëtar të Hamasit në Rripin e Gazës, vetëm një ditë pas një operacioni të ngjashëm.

Sipas ushtrisë izraelite, personi i vrarë ishte komandant i një kompanie të krahut ushtarak të Hamasit në zonën e Khan Younisit, në jug të Gazës.

Izraeli pretendon se komandanti po përgatitte sulme kundër ushtarëve izraelitë.

Burime mjekësore palestineze konfirmuan se një person u vra në qytetin e Khan Younisit, ndërsa dëshmitarët thanë se viktima ishte një komandant i Hamasit.

Sipas medieve izraelite, ky ishte sulmi i dytë i synuar izraelit në Gaza brenda dy ditësh, pasi operacione të tilla ishin ndaluar në fillim të gushtit me udhëzim të udhëheqjes politike.

Që nga fillimi i muajit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, raportohet se duhet të miratojë paraprakisht sulmet në Gaza, përveç rasteve kur ekziston rrezik i menjëhershëm për ushtarët.

Ndërkohë, një plan i lidhur me të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, të themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump, parashikon që Hamasi të çarmatoset dhe Izraeli të ndalojë sulmet e synuara ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar planin, ndërsa sipas raportimeve mediatike, Izraeli kishte pezulluar sulmet e synuara nën presionin e SHBA-së.

Megjithatë, pas një periudhe pa sulme të tilla, ushtria izraelite njoftoi dje për një goditje të re kundër një komandanti të Hamasit dhe raportoi sot edhe për eliminimin e komandantit në Khan Younis.

Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje mbi zbatimin praktik të kufizimeve të vendosura ndaj operacioneve izraelite në Gaza. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›