E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli zgjat dy misionet e BE-së në Territoret Palestineze

TEL AVIV/GAZA/BRUKSEL, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Izraeli ka miratuar zgjatjen e mandatit të dy misioneve të Bashkimit Evropian në Territoret Palestineze deri në fund të qershorit 2027, njoftoi sot Ministria e Jashtme izraelite.

Edhe Komisioni Evropian konfirmoi se ishte informuar për zgjatjen e të dy mandateve.

Njëri prej misioneve, EUPOL COPPS, mbështet trajnimin e forcave të sigurisë palestineze.

Mijëra pjesëtarë të policisë palestineze pritet të trajnohen, ndërsa misioni do të ndihmojë gjithashtu në rindërtimin e strukturave gjyqësore dhe të sigurisë në Rripin e Gazës.

Në kuadër të këtij misioni parashikohen edhe programe trajnimi për instruktorët palestinezë të policisë në akademinë e policisë në Xheriko, në Bregun Perëndimor.

Forca e re policore për Gazën pritet të nisë aktivitetin si pjesë e një plani paqeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Misioni tjetër, EUBAM Rafah, lidhet me pikën kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit.

Që nga rihapja e pikës kufitare në fillim të vitit, misioni i BE-së monitoron funksionimin e saj dhe mbështet rojet kufitare palestineze.

EUBAM Rafah u krijua në vitin 2005 për të ndihmuar në kontrollin e pikës së vetme kufitare të Gazës me Egjiptin.

Pas marrjes së pushtetit në Gaza nga Hamasi në vitin 2007, personeli i BE-së nuk u vendos për një periudhë të gjatë në pikën kufitare, pasi BE-ja refuzonte të bashkëpunonte me Hamasin. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›