TEL AVIV – Mijëra vetë protestojnë sërish për lirimin e pengjeve

TEL AVIV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Izraelitët dolën sot sërish në rrugë për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe përfundimin e luftës në Gaza.
Demonstrata dhe bllokime rrugësh u zhvilluan në mbarë vendin.
Një autostradë kryesore pranë Tel Avivit u bllokua, ndërsa protestuesit dogjën goma në një rrugë në veri të qytetit bregdetar.
Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve kishte bërë thirrje për veprime të ndryshme proteste nën moton “Izraeli qëndron së bashku”.
Një tubim i madh pritet të mbahet në mbrëmje në “Sheshin e Pengjeve” në qendër të Tel Avivit.
Protestuesit akuzojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po e zgjat luftën për arsye politike.
Partnerët e tij të ekstremit të djathtë në koalicion, nga të cilët varet mbijetesa e tij politike, kundërshtojnë një armëpushim.
Vetëm pak më shumë se një javë më parë, qindra mijëra izraelitë shprehën solidaritetin e tyre me pengjet gjatë një proteste masive.
Aktualisht, gjithsej 50 pengje vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës, prej të cilëve 20 besohet se janë gjallë.
Organizata islamike Hamas njoftoi se ka pranuar një propozim të ri për armëpushim të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, të cilët po ndërmjetësojnë konfliktin./ /Ad.Ab./