TEL AVIV – Ministri izraelit propozon aneksimin e zonave në Gazë për të ushtruar presion mbi Hamasin

TEL AVIV, 30 korrik /ATSH-DPA/- Izraeli mund të kërcënojë të aneksojë pjesërisht Rripin e Gazës me qëllim që të rrisë presionin mbi grupin militant palestinez Hamas gjatë negociatave për armëpushim, tha sot Zeev Elkin, anëtar i Kabinetit të Sigurisë së Izraelit.
Elkin vuri në dukje se Hamasi po i vononte negociatat.
“Gjëja më e dhimbshme për armiqtë tanë është humbja e tokës”, shtoi ai, duke theksuar mundësinë e dhënies së një ultimatumi Hamasit me qëllim arritjen e një marrëveshjeje.
Një ultimatum i tillë do të ishte një mjet i rëndësishëm për të ushtruar presion.
Disa ditë më parë, media izraelite raportoi se qeveria po diskutonte aneksimin gradual të Rripit të Gazës me qëllim që të rriste presionin mbi Hamasin.
Kohët e fundit, ministrat e ekstremit të djathtë në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu shprehën pakënaqësinë e tyre për rifillimin e dërgesave më të mëdha të ndihmës në Rripin e Gazës.
Netanyahu gjithashtu dëshiron të qetësojë partnerët e tij të koalicionit ultra të djathtë me planet.
Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit thuhet se kanë ngecur.
Propozimi i fundit në tryezën e negociatave ishte për një armëpushim 60-ditor.
Gjatë kësaj kohe, Hamasi do të lironte 10 nga 20 pengjet që ishin ende gjallë në Rripin e Gazës.
Stacioni televiziv N12 dhe gazetari izraelit, Barak Ravid raportuan se Izraeli u kishte dhënë dje ndërmjetësve një përgjigje për kërkesat e fundit të Hamasit. //a.i/