TEL AVIV – Ministri izraelit refuzon bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Liban

TEL AVIV/BEJRUT, 12 nëntor /ATSH-DPA/- Fortesat e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit u goditën sot nga të paktën 12 sulme të rënda ajrore, thanë burimet e sigurisë dhe dëshmitarët okularë, pasi ministri izraelit i sapoemëruar i Mbrojtjes, Israel Katz ka refuzuar çdo bisedë për një armëpushim të mundshëm.
Sulmet goditën zonat e Haret Hreik, Ghobeiri, al Hadath, Beir al Abed dhe Lailaki. Më herët, një zëdhënës i ushtrisë izraelite njoftoi në X për të evakuuar zonat në periferitë jugore të Bejrutit.
Sulmet ajrore shkaktuan panik tek popullata, pasi shumë njerëz, zakonisht shkojnë në mëngjes për të kontrolluar shtëpitë e tyre në periferitë jugore.
Rrethinat jugore kishin qenë të qeta gjatë dy ditëve të fundit. Burimet e sigurisë thanë se sulmi i sotëm ishte sulmi më i rëndë ajror i këtij muaji.
Sulmet erdhën pasi organizata militante shiite Hezbollah mori përsipër dy sulme në Izraelin verior dhe Haifa.
Ushtria izraelite tha se sulmi me dron kishte shkaktuar sirena të sulmit ajror në Haifa, Acre dhe zona të tjera.
Që nga shtatori, ushtria izraelite ka zgjeruar masivisht sulmet e saj në Liban, duke synuar të luftojë milicinë e Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
Avionët luftarakë kanë bombarduar objektiva në të gjithë vendin dhe kryesisht në jug të Bejrutit. //a.i/.