E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Netanyahu bën thirrje për një zonë të çmilitarizuar në Siri

TEL AVIV, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se pret që Siria të krijojë një zonë të çmilitarizuar që shtrihet nga kryeqyteti Damask deri në Lartësitë Golan, të cilat janë aneksuar nga Izraeli.

Netanyahu i dha këto deklarata në një video-mesazh gjatë një vizite në spital te ushtarët izraelitë që ishin plagosur së fundmi gjatë një operacioni në Siri.

Pas rrëzimit vitin e kaluar të ish-udhëheqësit afatgjatë sirian Bashar al-Assad, Izraeli vendosi trupa në zonën neutrale të kontrolluar nga OKB-ja midis Lartësive Golan dhe territorit nën kontrollin sirian, përfshirë anën siriane të malit Hermon.

Sipas Netanyahut, ushtria izraelite do të qëndrojë në këtë zonë “për të garantuar sigurinë e qytetarëve izraelitë”.

Zona e çmilitarizuar përfundon rreth 50 kilometra larg Damaskut.

”Në vijim të sulmeve të udhëhequra nga Hamasi ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli është i vendosur të mbrojë veten nga sulmet përtej kufirit dhe të pengojë vendosjen e ekstremistëve armiqësorë në zonat kufitare”, tha Netanyahu.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Izraeli synon të mbrojë pakicën fetare druzi në Siri, të cilën e konsideron aleate.

Ushtria izraelite godet rregullisht objektiva në Siri për të shkatërruar depo armësh ose pajisje ushtarake./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›