E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua sot me zyrtarë të lartë të sigurisë për të finalizuar një strategji të re për luftën 22-mujore në Gaza, tha sot zyra e tij, sipas “Reuters”.

Pavarësisht presionit të fortë ndërkombëtar për një armëpushim për të lehtësuar krizën e urisë dhe kushtet e tmerrshme në enklavën e rrethuar palestineze, përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas kanë dështuar.

“Tetë persona të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa 79 të tjerë vdiqën në sulmet e fundit izraelite.

Zyra e kryeministrit tha se Netanyahu kishte mbajtur një “diskutim të kufizuar sigurie” që zgjati rreth tre orë, gjatë të cilit shefi i Shtabit të Përgjithshëm ushtarak Eyal Zamir prezantoi opsionet për vazhdimin e fushatës në Gazë.

Një zyrtar izraelit tha më herët se ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, një njeri i besueshëm i Netanyahut, do të merrnin pjesë gjithashtu në takim për të vendosur mbi një strategji që do t’ia paraqiste kabinetit këtë javë.

“Channel 12” i Izraelit, duke cituar një zyrtar nga zyra e Netanyahut, tha se kryeministri po kërkonte marrjen e kontrollit të të gjithë territorit.

Kjo do të përmbyste vendimin e vitit 2005 për t’u tërhequr nga Gaza, duke ruajtur kontrollin mbi kufijtë e saj, një veprim që partitë e krahut të djathtë e fajësojnë për marrjen e pushtetit nga Hamasi.

Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse Netanyahu po parashikonte një pushtim të zgjatur apo një operacion afatshkurtër që synonte shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.

Zyra e kryeministrit nuk pranoi të komentonte mbi raportin e “Channel 12”.

“Është ende e nevojshme të përfundojmë mposhtjen e armikut në Gazë, të lirojmë pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, u tha Netanyahu rekrutëve të rinj në një bazë ushtarake.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga këto misione”, shtoi ai.

Lufta u shkaktua nga sulmet e militantëve të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke kapur 251 pengje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›