E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Protesta kundër luftës në Gazë përpara banesave të ministrave izraelitë

TEL AVIV, 24 gusht /ATSH- DPA/- Të afërmit e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës protestuan sot jashtë rezidencave të ministrave izraelitë, duke kërkuar një armëpushim dhe një marrëveshje me organizatën militante palestineze “Hamas” për lirimin e pengjeve.

“Ne nuk do të falim asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në një deklaratë të Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura.

“Dëgjoni njerëzit: Jepini fund kësaj lufte dhe ktheni të gjithë pengjet në shtëpi”, sipas deklaratës.

Demonstruesit u mblodhën jashtë shtëpive të gjashtë anëtarëve të kabinetit, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministrin e Jashtëm, Gideon Saar.

Një ditë tjetër e madhe proteste mbarëkombëtare është planifikuar të martën në Izrael.

Hamasi njoftoi të hënën e kaluar se kishte rënë dakord për një propozim të ri nga ndërmjetësit për një armëpushim.

Sipas raportimeve të medias, ky është një version i adaptuar i një propozimi të negociuar më parë nga i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff.

Ai thuhet se përfshin një armëpushim 60-ditor – gjatë të cilit 10 pengje, fillimisht do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një total prej 50 pengjesh mbahen ende në Rripin e Gazës, nga të cilët besohet se vetëm 20 janë gjallë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka miratuar planin për të pushtuar Qytetin e Gazës, ndërsa në të njëjtën kohë ka nisur negociata të reja me Hamasin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›