TEL AVIV – Ushtria izraelite sulmon objektet nëntokësore të Hezbollahut në Liban

TEL AVIV, 6 qershor /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore Izraelite thanë sot se kishin goditur objekte nëntokësore të përdorura nga Hezbollahu për të prodhuar dhe ruajtur dronë në periferi të Bejrutit dhe në Libanin jugor.
Udhëheqësit libanezë thanë se sulmi ajror minon armëpushimin e rënë dakord në nëntor pas më shumë se një viti sulmesh ndërkufitare dhe një pushtimi tokësor nga Izraeli.
Ushtria izraelite akuzoi milicinë libaneze se vepron nën drejtimin dhe me mbështetjen financiare të zyrtarëve iranianë për të prodhuar mijëra dronë.
Pretendimi, i bërë nëpërmjet platformës së ushtrisë Telegram, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Sulmi izraelit ndodhi dje në mbrëmje në prag të Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.
Presidenti libanez Joseph Aoun i dënoi sulmet, ndërsa ushtria libaneze kritikoi ashpër veprimet e Izraelit, duke i quajtur ato shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Udhëheqja ushtarake libaneze paralajmëroi se mund të pezullojë bashkëpunimin me komisionin e monitorimit të mbështetur nga OKB-ja që mbikëqyr respektimin e marrëveshjes së armëpushimit, i cili përfshinte kërkesa specifike të cilat duhej të përmbusheshin nga të dyja palët.
Si pjesë e marrëveshjes, e cila i dha fund muajve të luftimeve të ashpra midis Izraelit dhe Hezbollahut në fund të vitit të kaluar, ushtria libaneze po zëvendëson gradualisht milicinë e mbështetur nga Irani në patrullimin e rajonit kufitar jugor pranë Izraelit.
Hezbollahu duhej të tërhiqej pas lumit Litani, i vendosur afërsisht 30 kilometra në veri të kufirit. Izraeli ka akuzuar milicinë për shkelje të përsëritura të kësaj dispozite.
Trupat izraelite, nga ana e tyre, duhej të tërhiqeshin nga Libani jugor.
Ushtria libaneze vuri në dukje se koha e sulmeve – përpara festës së madhe fetare – dukej se synonte të minonte përpjekjet e stabilitetit dhe rimëkëmbjes së Libanit. //a.i/