TOKIO – Macron bën thirrje për armëpushim në Lindjen e Mesme

TOKIO, 1 prill /ATSH/- Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për armëpushim në Lindjen e Mesme gjatë vizitës sot në Japoni, sipas AP.
Macron, i cili zhvilloi bisedime me kryeministrin japonez Sanae Takaichi, tha se të dy besojnë në të drejtën ndërkombëtare, rendin ndërkombëtar dhe vlerat demokratike.
“Kjo është arsyeja pse … ne të dy mbështesim një kthim në paqe, një armëpushim, qetësi dhe kalim të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha Macron.
Takaichi tha se të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për rëndësinë e çtensionimit të shpejtë të konfliktit dhe për të garantuar sigurinë e rrugës ujore jetësore dhe furnizimin e qëndrueshëm të mallrave.
“Me mjedisin ndërkombëtar gjithnjë e më të ashpër, besoj se është veçanërisht domethënëse që udhëheqësit japonezë dhe francezë të thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin tonë”, tha Takaichi në një konferencë të përbashkët shtypi në Pallatin Akasaka në Tokio.
Udhëheqësit thanë se gjithashtu kishin rënë dakord të thellonin bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, zhvillimin e metaleve të rralla, energjinë bërthamore, hapësirën dhe fusha të tjera.
Japonia dhe Franca, vitet e fundit kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes në Indo-Paqësor, ku Franca, e cila ka trupa, qytetarë dhe burime në të gjithë rajonin, kërkon të mbrojë interesat e saj dhe të tregojë praninë e saj – përkrah demokracive me mendësi të ngjashme të shqetësuara për ndikimin në rritje të Kinës.
Më herët, ministri japonez i Mbrojtjes Shinjiro Koizumi dhe homologia e tij franceze, Catherine Vautrin nënshkruan një plan rrugor të bashkëpunimit mbrojtës midis dy vendeve përmes shtimit të ushtrimeve dhe shkëmbimeve të përbashkëta në Indo-Paqësor.
Veçmas, ministrat japonezë dhe francezë të tregtisë nënshkruan një marrëveshje në një projekt të përbashkët të metaleve të rralla.
Kina kontrollon pjesën më të madhe të prodhimit global të metaleve të rralla, të cilat përdoren për të bërë magnete të fuqishme dhe rezistente ndaj nxehtësisë në industri të tilla si, mbrojtja dhe automjetet elektrike.
Macron dhe Takaichi thanë se të dy palët kishin rënë dakord të bashkëpunonin në zhvillimin e një programi të riciklimit të shpejtë të reaktorit dhe karburantit bërthamor, në të cilin Japonia ka pasur vështirësi. //a.i/