E Hënë, 2 Nëntor 2026

TOKIO – Për herë të parë në histori, Japonia do të drejtohet nga një grua

JAPONI, 5 tetor /ATSH-ANSA/ – Sanae Takaichi është gruaja e parë që bëhet presidente e partisë konservatore të Japonisë, duke udhëhequr aktualisht koalicionin qeverisës dhe duke hapur kështu, rrugën për zgjedhjen e saj si kryeministre: një rast i parë për Tokën e Diellit (Japoni).

Japonia është ekonomia e katërt më e madhe në botë, por që mbetet ende prapa në barazinë gjinore, e renditur e 118-ta në ”Raportin Global të Hendekut Gjinor 2025”.

Megjithatë, emërimi i 64-vjeçares Sanae Takaichi, e njohur për qëndrimet e saj të pakompromis, nuk është një zgjedhje feministe, thonë analistët.

Në një balotazh të ngushtë – i cili zbuloi përçarjet e thella brenda Partisë Liberale Demokratike (LDP) – Takaichi mundi kandidatin kryesor Shinjiro Koizumi, duke marrë 185 vota kundrejt 156 votave të kandidatit rival.

E afërt me ish-kryeministrin Shinzo Abe, i vrarë në korrik 2022, trashëgiminë politike dhe ideologjike të të cilit ajo pretendon, ajo e ka ndërtuar karrierën e saj tridhjetëvjeçare.

Ajo favorizon rritjen e shpenzimeve publike dhe lehtësimin monetar. Në politikën e jashtme, ajo konsiderohet si një skifter, me qëndrime të ashpra ndaj dy fqinjëve të saj kryesorë, Kinës dhe Koresë së Jugut.

Ish-ministre e Sigurisë Ekonomike dhe ministre e Brendshme, ajo premton një politikë fiskale ekspansioniste për të adresuar inflacionin dhe stagnimin e pagave, duke propozuar ulje të taksave të benzinës, stimuj për qeveritë lokale dhe subvencione të drejtpërdrejta për personat me të ardhura të ulëta.

Pavarësisht përpjekjes për të moderuar tonin e saj gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Takaichi ka mbetur e vendosur në parimet e saj – një “element qëndrueshmërie”, thonë vëzhguesit, gjë që i ka fituar asaj besimin e skajeve më tradicionaliste të partisë.

Për shembull, ajo kundërshton martesën e të njëjtit seks dhe kundërshton reformën e ligjit që kërkon që çiftet e martuara të ndajnë një mbiemër të vetëm, një rregull që i disavantazhon gratë në veçanti. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›