TRONDITËSE! Çobani e denoncoi, më pas nisi masakra ku u vra efektivi Enea Mekolli

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e operacionit policor që përfundoi me vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, në malin e Bodesë në Korçë.
Sipas Prokurorisë, gjithçka nisi pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i cili punonte prej disa ditësh si çoban në bagëtitë e Violand Braçellarit. I riu deklaroi se ishte dhunuar dhe kërcënuar me qytën e një arme automatike nga Braçellari, i cili sipas tij qëndronte i armatosur pranë stallave të bagëtive.
Pas këtij informacioni, Policia e Korçës hartoi një plan operacional për arrestimin e Braçellarit, i dënuar në mungesë me 10 vite burg.
Mëngjesin e 4 qershorit 2026, rreth orës 07:00, forcat policore u afruan pranë stallave në malin e Bodesë dhe nisën rrethimin e zonës.
Por, sipas dosjes, pa përfunduar ende rrethimi, Violand Braçellari hapi zjarr në drejtim të efektivëve.
Nga të shtënat mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos punonjësi i policisë Edison Adri.
Pas shkëmbimit të zjarrit, Braçellari tentoi të largohej me vrap nga zona, por u plagos dhe u kap disa metra më poshtë stallave.
Pranë tij u gjet një armë automatike model 56, e boshatisur nga fishekët, ndërsa në armë dhe në krëhër u konstatuan njolla të kuqërremta që dyshohet se janë gjak.
Hetuesit gjetën në vendngjarje dhjetëra gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra, të shpërndara në disa pika pranë stallave, duke treguar intensitetin e shkëmbimit të zjarrit.
Një nga detajet më prekëse të dosjes lidhet me efektivin Enea Mekolli.
Sipas ekspertëve, arma automatike që ai mbante gjatë operacionit kishte ende 29 fishekë në krëhër dhe një fishek në fole, çka tregon se polici nuk kishte arritur të qëllonte asnjë plumb.
Kufoma e tij u gjet rreth tetë metra larg një prej stallave.
Nga këqyrja paraprake rezultoi se Mekolli kishte marrë plagë të shumta nga armë zjarri në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë.
Ai mbante veshur uniformën e policisë dhe jelekun antiplumb, i cili paraqiste dëmtime në pjesën e gjoksit.
Ndërkohë, pranë vendit ku u plagos efektivi Edison Adri, u gjet arma e tij automatike, nga e cila rezulton se ishte kryer qitje gjatë përplasjes.
Në zonë u sekuestruan gjithashtu pesë armë të efektivëve pjesëmarrës në operacion, pesë jelekë antiplumb, radio policie dhe dhjetëra prova të tjera materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar me saktësi dinamikën e plotë të ngjarjes që i mori jetën efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë një prej operacioneve më të rënda të viteve të fundit.