TURQI – Erdogan: Mirëpresim paqen, por Izraeli duhet të ndalë sulmet

ANKARA, 3 tetor /ATSH/ – President turk Tayyip Erdogan i tha homologut të tij amerikan, Donald Trump, në një bisedë telefonike sot se Turqia mirëpret përpjekjet për të arritur paqen në rajon, por se Izraeli duhet të ndalë sulmet që këto përpjekje të kenë sukses, njoftoi presidenca turke, sipas “Reuters”.
Erdogan dhe Trump u takuan në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar për herë të parë pas gjashtë vitesh, në një takim që lideri turk tha se ndihmoi aleatët e NATO-s të bëjnë “progres të rëndësishëm” mbi një sërë çështjesh.
Në një deklaratë, presidenca tha se të dy liderët diskutuan lidhjet bilaterale në thirrjen e kërkuar nga pala amerikane, duke shtuar se Erdogan theksoi rëndësinë e marrjes së hapave për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.
Erdogan gjithashtu tha se takimi i tyre kishte forcuar lidhjet mes vendeve, shtoi deklarata.
Të dy liderët diskutuan gjithashtu situatën në Gaza, sipas presidencës, duke shtuar se presidenti Erdogan i tha Trump se Turqia po punon shumë për të arritur paqen rajonale dhe mirëpret iniciativat që kanë këtë qëllim.
“Erdogan theksoi se Turqia kishte rritur kontaktet diplomatike për paqe, se do të vazhdojë të mbështesë vizionin tuaj për paqen globale, dhe se ndalimi i sulmeve nga Izraeli është i rëndësishëm për suksesin e iniciativave që synojnë arritjen e paqes në rajon”, thuhet në deklaratë.
Turqia, e cila ka quajtur sulmet e Izraelit në Gaza si gjenocid dhe ka ndaluar të gjithë tregtinë me Izraelin, ka shprehur mbështetje për planin e fundit të Trumpit për të përfunduar luftën në Gaza. /Ad.Ab./