TURQI – Erdogan përshëndet çarmatimin e PKK-së, por hapat e mëtejshëm të paqartë

STAMBOLL, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan përshëndeti sot çarmatimin simbolik të luftëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si një “faqe të re” për Turqinë, por pa ndonjë reformë konkrete apo masë amnistie.
“Dje, plaga 47-vjeçare e terrorit, me vullnetin e Zotit, ka hyrë në procesin e përfundimit”, u tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në pushtet, AKP, në Ankara.
“Sot është një ditë e re, dyert e një Turqie të madhe dhe të fuqishme janë hapur gjerësisht”, theksoi ai.
Të premten, 30 militantë të PKK-së dogjën pushkë dhe mitralozë në Irakun verior, duke shpallur fundin e luftës së armatosur në përputhje me thirrjet e udhëheqësit të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan, në Turqi.
Zyrtarët turq e përshkruan ngjarjen si një moment historik, megjithëse mijëra luftëtarë mbeten nën armë.
Erdogan pranoi “gabimet” e shtetit të kaluar dhe aktet “e paligjshme” siç janë zhvendosjet me forcë, djegiet e fshatrave dhe ndalimet e gjuhës kurde.
Megjithatë, ai ia kaloi përgjegjësinë parlamentit, duke njoftuar një komision me AKP-në e tij, aleatin nacionalist MHP dhe Partinë pro kurde DEM për të përcaktuar hapat e ardhshëm në procesin e paqes.
Fusha e veprimit dhe mandati i komisionit mbeten të paqarta.
Ndërsa Erdogan bëri thirrje për dialog, kritikët theksojnë se disa kryetarë bashkie të DEM janë shkarkuar nga postet e tyre për lidhje të dyshuara me terrorizmin dhe politikanë kryesorë kurdë, përfshirë ish-kandidatin presidencial Selahattin Demirtas, mbeten pas hekurave./ /os/