TURQI – Tetë të vdekur dhe 26 të plagosur në një aksident me autobus në Antalia

ANTALIA, 1 shkurt /ATSH/ – Një aksident i rëndë ka ndodhur pranë qytetit turistik bregdetar në Turqinë jugore, në Antalia, ku një autobus doli nga rruga dhe u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e 26 të tjerëve, sipas “Daily Sabah”.
Guvernatori i provincës, Hulusi Sahin, konfirmoi shifrat e viktimave dhe bëri me dije se mjeti po transportonte 34 pasagjerë drejt qendrës turistike kur ndodhi ngjarja tragjike.
Sipas deklaratës së guvernatorit, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë në një udhëkryq ku qarkullimi duhet të ishte i kufizuar, dhe lagështia në rrugë për shkak të reshjeve të shiut.
Sahin theksoi se disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën në spitalet e zonës. Deri më tani, autoritetet turke nuk kanë specifikuar nëse në mesin e viktimave apo të plagosurve ka shtetas të huaj.
Rajoni i Antalias njihet si një nga destinacionet më të njohura turistike në Turqi, i cili tërheq miliona vizitorë të huaj çdo vit. //a.i/