Tabaku: Ajo që po ndodh në Theth nuk ka justifikim tjetër përveç Paketës së Maleve

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha se aksioni i ndërmarrë prej disa ditësh për prishjen e objekteve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit vjen për shkak të Paketës së Maleve.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “Paketa e Maleve është Kali i Trojës në pronat e veriut dhe turizmin malor”.
Deputetja tha se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani banorët përballen me goditje selektive e të njëanshme.
“Pas kriminalizimit të ndërtimit tashmë e ka radhën kriminalizimi i turizmit. Ajo që po ndodh në Theth me bizneset e turizmit nuk ka as emër dhe as arsye e justifikim tjetër përveçse se Paketa e Maleve”, u shpreh Tabaku.
“Në mes të sezonit turistik, pa qenë nevoja t’i shkatërronte sezonin atyre banorëve por edhe veriut të vendit, qeveria është duke ndërmarrë aksion për të prishur ndërtime që janë kohë që janë atje, që janë ndërtuar nën hundën e pushtetit, lokal, të mazhorancës socialiste, të IKMT dhe u kujtuan tashmë në mes të sezonit që duhen prishur”, tha Tabaku.
Tabaku u shpreh se “Paketa e maleve është Kali i Trojës së qeverisë. Ligji i Investimeve Strategjike në turizëm, tashmë i zbatuar në turizmin malor. Ligji i investimeve strategjike nuk solli asnjë risi, përveç dy investitorëve të huaj në Shqipëri. E njëjta gjë do të ndodhë me paketën e maleve që sot po shkatërron turizmin verior të Shqipërisë”.
/m.q/j.p/