E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tabaku: Bujqësia në rënie ekonomike të qëndrueshme

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehu sot shqetësimin për rënien e qëndrueshme ekonomike, që po shënon sektori i bujqësisë në vendin tonë.

Duke marrë fjalën në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, gjatë diskutimit me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, të pr/buxhetit 2025 për sektorin e bujqësisë, Tabaku tha se, “në tre vitet e fundit kam ngritur shqetësimin që bujqësia ka pasur një rënie ekonomike. Kjo nuk është tendencë e një periudhe 6 mujore, por është rënie e e qëndrueshme dhe kjo reflektohet edhe në rënien e bujqësisë si përqindje e PBB-së”.

“E kuptoj që doni ta relativizoni se ky problem ndodh edhe në vendet e tjera, tha Tabaku, teksa theksoi se, problemi tek ne nuk është se po ristrukturohet ekonomia, sepse këtë rënie po zë ndërtimi, por kjo rënie lidhet dy elementë kryesorë; strukturën e taksave dhe informalitetin e lartë”.

Tabaku tha se, “buxheti 2025 nuk parashikon të ketë paketë mbështetëse të politikës fiskale për sektorin dhe ministri i Financave mbajti një referim të gjatë ku tha se i adresohemi legjislacionit të BE-së”.

“Stafi i Kuvendit ka bërë një analizë të gjatë të legjislacioni të BE-së, sa i takon bujqësisë dhe ky sektor ka më shumë përjashtime nga të gjithë, duke përfshirë edhe TVSH dhe një skemë të diferencuar që ndihmon bujqësinë dhe fshatin për të rregulluar të gjitha marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet prodhuesve të vegjël, fermave të vogla shitjes së produkteve të tyre, përveç faktit që bujqësia në BE ka një subvencionim shumë të lartë”, u shpreh ajo.

Tabaku vuri në dukje se përballë kësaj situate, si do të konkurroj Shqipëria në tregun e përbashkët rajonal së pari dhe atë të BE-së me këtë skemë që qeveria shqiptare ka në Bujqësi? Si do të dalin produktet shqiptare në tregun europian, si do të përballen me konkurrencën.

Ajo u ndal në informalitetin e lartë që ka ky sektor.

“Janë 72 mijë fermerë të siguruar nga 350 mijë të punësuar në fshat, pse ka një mospërputhje kaq të madhe, MBZHR duhet të marrë masa për këtë problem tha ajo.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›