Tabaku: Fondet e buxhetit të shtetit shpërdorohen në projekte korruptive

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se një ndër prioritetet e qeverisë është shpërdorimi i fondeve publike për projekte korruptive.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku tha se Shqipëria përballet me mungesa të investimeve në shërbimet publike, duke përmendur veçanërisht situatën e zjarrfikësve, të cilët, sipas saj, vijojnë të përballen me flakët me mjete të pamjaftueshme.
Deputetja Tabaku tha se fondet e buxhetit të shtetit shpërdorohen në projekte korruptive, tendera të paracaktuar.
“Por 4,5 milionë euro shtesë nga buxheti gjenden menjëherë për një koncert privat. Shqipëria e shumicës është e varfër, e pambrojtur dhe e braktisur. Shqipëria e pakicës që sundon përmes sistemit ka nevojë për spektakël, propagandë dhe fasadë”, tha ajo.
Sipas Tabakut, teksa shumica e qytetarëve përballen me varfëri, mungesë mbështetjeje dhe shërbimesh, qeveria investon në “spektakël, propagandë dhe fasadë”, në vend që të adresojë nevojat e qytetarëve dhe të forcojë shërbimet publike.