E Martë, 3 Nëntor 2026

Tabaku: Konsultimet e komisionit Xhafaj, antikushtetuese

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj mbajtjes së tryezës për draftin e projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike si dhe për financimin e partive politike, organizuar nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.

Tabaku reagoi së pari ndaj mbajtjes së tryezës kur sesioni parlamentar ka përfunduar dhe komisionet e përhershme nuk zhvillojnë më aktivitet, gjë që sipas saj, tregon se shumica ka zgjedhur t’i hapë dyert antikushtetutshmërisë dhe antiligjshmërisë.

“Në mënyrë të paprecedent, është thirrur një dëgjesë për dy nisma që prej vitesh mbahen peng nga kjo shumicë: ligji për konfliktin e interesit dhe ai për partitë politike. Dhe kush tjetër përveç Komisionit të mirënjohur të Xhafajt do ta merrte përsipër këtë shkelje?”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.

“Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen në një kohë pushimi institucional, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin. Shqipëria sot nuk ka një emergjencë ligjore që justifikon thirrjen e komisioneve”, vijoi ajo.

Sipas Tabakut, kjo sjellje është një “paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›