E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim i jashtëzakonshëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti ‘po shqyrton’ mundësinë e bashkimit me Izraelin për të goditur Iranin

Trump zhvilloi një takim të martën pasdite në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare mbi konfliktin Izrael-Iran.

Ai po mendon t’i bashkohet sulmeve të Izraelit ndaj centraleve bërthamore iraniane, përfshirë një strukturë në Fordo, raporton BBC.

Çfarë dihet për takimin e jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë?

Takimi urgjent i Donald Trump në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, i cili zgjati një orë e 20 minuta, u mbajt për të diskutuar nëse SHBA-të duhet t’i bashkohen Izraelit për të goditur centralet bërthamore iraniane.

Raporti thotë se nuk ka një marrëveshje të plotë midis këshilltarëve më të ngushtë të Trump.

Pasi i bëri thirrje iranianëve për t’u rikthyer në negociata për disa ditë, Presidenti Trump po shqyrton nëse SHBA-të duhet të përfshihen drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit.

Në takimin e djeshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Trump dhe këshilltarët e tij raportohet se kanë diskutuar mundësinë e sulmit ndaj centraleve bërthamore të Iranit. Një objektiv i mundshëm mund të jetë centrali i pasurimit të uraniumit në Fordo, i cili ndodhet thellë nën tokë.

Vetëm amerikanët kanë një bombë të aftë ta shkatërrojë atë. Sipas CBS News, këshilltarët e presidentit janë ende të ndarë përr mënyrën se si do të veprohet.

Mediat amerikane dhe izraelite thonë se Trump pas takimit i bëri një telefonatë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, por nuk dihet se çfarë u diskutua.

Dje, në një mori postimesh në mediat sociale, Trump kërkoi “dorëzimin pa kushte” të Iranit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u përgjigj me një sërë mesazhesh në mediat sociale mbrëmë, duke këmbëngulur se vendi i tij “nuk do të bënte kurrë kompromis me sionistët”./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›