E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takim shkencor në Universitetin e Korçës – Marrëdhëniet mes bimëve, gjuhës dhe praktikave kulturore

Në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” u zhvillua një takim në kuadër të projektit ndërkombëtar READ “Bimët, Gjuha dhe Njerëzit: Njohuri dhe praktika për t’u përballur me sfidat bashkëkohore”. Drejtuesja e projektit, prof. as. dr. Anyla Saraçi, u shpreh se ky projekt synon të ndërthurë njohuritë shkencore me traditën dhe kulturën e komuniteteve, duke nxitur praktikat e qëndrueshme dhe ruajtjen e trashëgimisë biokulturore në zonën e Kolonjës.

“Është një projekt që do ketë ndikim për zonën ku zhvillohet që është zonja e Kolonjës. Duke qenë se është një zonë me pasuri të jashtëzakonshme biokuluturore dhe krijon mundësitë që ekonomitë lokale të zonës të mbështeten në këto lloj njohurish për të çuar përpara ekonomitë e tyre, fermat e tyre”, tha Prof. As. Dr. Anyla Saraçi, drejtuese e projektit.

Ky projekt vjen si bashkëpunim me studiues të njohur, mes të cilëve edhe Prof. dr. Nazim Gruda i cili theksoi se studime të tilla krijojnë një bazë të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe për ruajtjen e biodiversitetit, duke u lidhur ngushtë edhe me zhvillimin social dhe ekonomik të zonës.

“Në fund të këtij projekt të mund të kemi evidentuar se cilat janë ato bimë që ndeshen në këtë zonë, që kultivohen në këtë zonë dhe njëkohësisht si është i lidhur ky lloj kultivimi dhe përdorimi i këtyre bimëve në mjekësi, gatim, etj, përmes njeriut dhe si shprehet kjo përmes gjuhës sonë”, u shpreh Prof. Dr. Nazim Gruda.

Takimi u mbyll me diskutime mbi mundësitë që hap ky projekt në drejtim të studimeve të reja, kërkimeve ndërdisiplinore dhe ruajtjes së diversitetit biokulturor, duke i dhënë një dimension të ri rolit të Universitetit “Fan S. Noli” në jetën akademike dhe në zhvillimin e rajonit.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›