Takime në Tiranë për ICT, theksohet roli i vajzave dhe grave në teknologji

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, priti në një takim Cosmas Zavazava, drejtor i International Telecommunication Union (ITU), në kuadër të International Girls in ICT Day 2026 të zhvilluar në Tiranë.
Gjatë takimit, Kazia shprehu vlerësimin për bashkëpunimin me kompaninë ITU dhe për angazhimin e përbashkët në realizimin e këtij eventi global, si dhe u diskutua mbi vijimësinë e këtij partneriteti në forcimin e kapaciteteve kombëtare, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike.
Në vijim të vizitës së tij në Tiranë, Cosmas Zavazava zhvilloi një takim edhe me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ku u rikonfirmua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetja për iniciativa që nxisin përfshirjen e vajzave dhe grave në teknologji.
AKSK mbetet i angazhuar për të vijuar dhe forcuar më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit të sektorit të teknologjisë dhe garantimit të një mjedisi digjital të sigurt në Shqipëri.
/e.i/a.f/r.e/