E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tango del Mar” në Marina Orikum! Grupi muzikor “Terra del Sole” dhuron një mbrëmje magjike për publikun

Marina Orikum ishte mbrëmjen e të dielës skena e 4 artistëve virtuozë italianë, të cilët sollën tek publiku magjinë e tangos latine.

Koncerti Live “Tango del Mar” në Marina Orikum ishte premiera e një serie koncertesh të cilat do të organizohen në qytetin bregdetar të Vlorës përgjatë muajit gusht, në kuadrin e MAREMEUM Festival 2025 në edicionin e tij të II-të.

Grupi muzikor “Terra del Sole” njihet në mbarë botën si instrumentistë të shkëlqyer të muzikës tango, teksa në skenën e koncertit në Marina Orikum performuan vokalistja Eleonora Pascarelli, violinë Domenico Zezza, piano Enrico Tricarico dhe firzamonikë Alessandro Gazza.

Në fjalën përshëndetëse Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Achille Provenzano evidentoi vlerat që përcjellin organizime të tilla artistike që shërbejnë si ura miqësie dhe bashkëpunimi vëllazëror mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë.

Marina Orikum vazhdon të mbetet një pikë-takim i bukur për artin shqiptar, teksa gjatë edicioneve të fundit kanë performuar artistë të ndryshëm të muzikës klasike.

Me transformimin rrënjësor që pritet të ndodhë së shpejti, duke u jetëzuar projekti i arkitektit austriak Chris Precht, natyrshëm që Marina Orikum do të jetë skena e eventeve të mëdha botërore të muzikës.

Duke e kthyer këtë investim të shkëlqyer në një prej destinacioneve më atraktive të Shqipërisë, e duke i dhënë një zhvillim të jashtëzakonshëm jo vetëm Orikumit dhe Vlorës, por edhe si një indikator i “ekonomisë blu”, prej së cilës vendi ynë pret të jetë një prej industrive më kryesore.

Projekti i ri i Marina Orikum, i cili pritet të startojë në shtatorin e ardhshëm parashikon ndërtimin e një prej marinave më të mëdha në Mesdhe, me afërsisht 850 poste barkash. E gërshetuar kjo me pjesën e hotelerisë me 5-yje por edhe me atë rezidenciale “luxury” me apartamente dhe vila të dizenjuara me mjaft pasion dhe talent nga ana e arkitektit me famë botërore Chris Precht.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›