Tatimet nisin sekuestrimin e aseteve të debitorëve

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Në kuadër të këtyre masave, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të debitorëve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.
Tatimet njoftojnë se i tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6,4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre “McLaren”, “Mercedes-Benz” dhe BMW.
Administrata Tatimore nënvizon se do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore. /r.e//a.g/