E Diel, 1 Nëntor 2026

Taulant Xhaka rrëfen emocionet me fanellën kuqezi: Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Taulant Xhaka ka rrëfyer në një intervistë për rubrikën e re të Federats Shqiptare të Futbollit “Legjendat Flasin”, emocionet dhe marrëdhëniet e tij me fanellën kuqezi.

Ai u ndal tek debutimi historik me fitore ndaj Portugalisë, momentet më të bukura dhe më të vështira me Kombëtaren, si dhe te vlerësimi për ekipin aktual.

“Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës. Është nder dhe besoj se është fanella më e bukur në botë”, shprehet Xhaka, duke theksuar krenarinë që i ka dhënë gjithmonë përfaqësimi i vendit.

Ai rikujton debutimin e tij me Kombëtaren si një ëndërr të bërë realitet, ndërsa ndeshjen kundër Serbisë e cilëson si momentin më të trishtuar.

Për sakrificat personale, ish-mesfushori  thekson se gjithmonë ka dhënë maksimumin, duke shtuar se “kisha vdekur për këtë fanellë”.

Duke folur për Kombëtaren aktuale, Xhaka vlerëson progresin e bërë ndër vite, talentin e lojtarëve të rinj dhe besimin se ekipi ka mentalitetin dhe kualitetin për të përballuar ndeshjet e play-off-it.

Ai veçon Qazim Laçin si lojtar që i kujton veten, si për stilin e lojës ashtu edhe për fanellën me numrin 14.

Në fund, mesazhi i tij për tifozët është i qartë: mbështetja e tyre ka qenë dhe mbetet vendimtare.

“Tifozët janë lojtari i 12-të”, shprehet Xhaka, duke i ftuar të jenë pranë ekipit në momentet kyçe.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›