E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo: Shkrihet për herë të dytë IMT e Himarës, për neglizhencë gjatë ushtrimit të punës

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Himarë është shkrirë për herë të dytë brenda një viti.

Në një deklaratë për mediet, kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo tha se vendimi është marrë pas evidentimit të ndërtimeve pa leje.

Sipas tij, kompetencat për kontrollin e territorit dhe ndërhyrjen ndaj ndërtimeve pa leje do t’i kalojnë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Për herë të dytë brenda një periudhe rreth një viti detyrohem ta shkrijë për herë të dytë IMT e bashkisë së Himarës për arsye të neglizhencës së treguar gjatë ushtrimit të punës së tyre ku detyra primare është mbrojtja e territorit, ndërkohë që nuk e kanë kryer këtë detyrë”, tha Tavo.

Tavo u shpreh se “këtë e tregojnë dhe faktet që në terren ka ndërtime pa leje të konstatuara ditët e fundit, por dhe për ë mosveprimin e tyre ku vetë IMT-ja dhe jo vetëm IMT-ja dhe struktura të tjera shtetërore që janë përgjegjëse për situatën e ndërtimeve pa leje kanë lejuar këto ndërtimet pa leje”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›