E Diel, 1 Nëntor 2026

Të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë dalin para gjykatës

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Nën masa të larta të sigurisë u sollën sot në gjykatë të pandehurit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.

Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë.  /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›