Të ardhurat tatimore në tetor 40,1 miliardë lekë, rritje 11,2% krahasuar me një vit më parë - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Administrata Tatimore informon se të ardhurat tatimore vijuan të rriten edhe gjatë muajit tetor 2026, pavarësisht rënies së volumeve tregtare si pasojë e protestave.
Sipas të dhënave, të ardhurat totale neto për tetorin arritën në 40,1 miliardë lekë, duke tejkaluar me 200 milionë lekë planin e parashikuar për këtë muaj, ose me 0,6%.
Në krahasim me tetorin e vitit 2025, të ardhurat tatimore u rritën me 4 miliardë lekë, ose 11,2%.
Administrata Tatimore vlerëson se rezultatet pasqyrojnë vijimin e angazhimit të tatimpaguesve dhe forcimin e marrëdhënies së besimit me administratën, përmes një administrimi të orientuar drejt vetëpërmbushjes dhe përgjegjshmërisë.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht vështirësive të krijuara në aktivitetin tregtar, të ardhurat tatimore në tetor shënuan rritje si në raport me planin, ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/e.i/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
