E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dërguarit e Trump në Izrael, takime me qeverinë për ruajtjen e armëpushimit në Gaza

I dërguari special amerikan, Steve Uitkoff dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner janë rikthyer në Izrael pas zhvillimeve të ditëve të fundit në Gaza.

Të dy diplomatët po mbikëqyrin marrëveshjen e armëpushimit që Izraeli e vuri në pikëpyetje një ditë më parë, kur sulmoi sërish Gazën dhe la të vdekur të paktën 26 persona.

Ushtria izraelite tha se goditi objektivat e Hamasit në të gjithë enklavën, duke përfshirë komandantë në terren, persona të armatosur, një tunel dhe depo armësh, pasi militantët lëshuan një raketë antitank dhe qëlluan mbi trupat e saj, duke vrarë ushtarët.

Pas sulmeve, Izraeli por edhe vetë presidenti Trump thanë faza e parë e marrëveshjes vijon të jetë në fuqi.

Uitkoff dhe Kushnerit do t’iu bashkohet në Izrael të martën edhe zëvendës presidenti amerikan JD Vance. Përfaqësuesit amerikanë do të zhvillojnë bisedime me anëtarët e qeverisë së kryeministrit Netanjahu.

Nga ana tjetër ndërmjetësit egjiptianë presin sot në takime përfaqësuesit e Hamasit.

Çarmatosja e grupit militant, futja e më shumë ndihmave në rripin e Gazës dhe formimi i qeverisë së teknokratëve pritet të jenë hapat e ardhshëm për tu zbatuar sipas propozoimit amerikan, nëse palët mbeten të përkushtuara.

Por situate mbetet shumë delikate pasi në 10 ditët e para të armëpushimit palët kanë akuzuar disa herë njëra tjetrën për shkelje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›