E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të lutem më ndihmo!” Zbardhet skema e mashtrimit, si dy të rinjtë u merrnin kartat qytetarëve dhe aplikonin për kredi

Detaje të reja bëhen me dije në lidhje me rastin e mashtrimit në Patos, kun ë pranga ranë dy persona.

Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se Ardit Hoxha dhe Fatmir Sadiku ndalonin njerëz në rrugë dhe u luteshin tu jepnin kartën e tyre të identitetit për të tërhequr para që u kishin dërguar nga jashtë, me pretendimin se kishin harruar në shtëpi kartën e tyre.

Qytetarët nuk ua kursenin ndihmën dhe pasi u kishin fotokopjuar kartat, dy të rinjtë aplikonin për kredi në bankat e nivelit të dytë.

Pasi lajmëroheshin nga banka për të paguar kreditë, qytetarët kallëzuan në polici.

“Iu merrnin qytetarëve, nëpërmjet mashtrimit, kartat e identitetit dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimeve nga disa shtetas se mjetet e tyre të identifikimit ishin përdorur nga shtetas të tjerë, për të aplikuar për kredi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i punës së shpejtë hetimore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. H., 28 vjeç, banues në fshatin Vidhisht, dhe F. S., 29 vjeç, banues në Patos.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet mashtrimit, iu merrnin qytetarëve, kartat e identitetit, dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, një shumë parash dhe disa fatura.

Vijon puna hetimore për të dokumentuar raste të tjera të mashtrimit që mund të kenë kryer këta shtetas”, njoftoi policia. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›