“Të ndërtojmë një NATO të arsimit”, Rama: Vendimet t’i bazojmë tek e ardhmja, i vetmi vend që na bashkon

Përfaqësues nga 47 vende të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë janë bërë bashkë në Tiranë, përmes konferencës ministeriale me fokus zbatimin e procesit të Bolonjës.
Drejtoresha e përgjithëshme për edukimin në Komisionin Evropian, Pia Hansen duke cituar raportin për vitin 2024, nënvizoi se nevojiten rekomandime të reja për të përballuar sfidat e arsimit të lartë, e ku baza kryesore mbetet garantimi i cilësisë.
“Raporti i zbatimit të Bolonjës që sapo është botuar nënvizon se ende nuk kemi mbërritur në destinacion pasi zotimet nuk janë përmbushur në të gjitha vendet pjesëmarrëse. Komisioni mbështet procesin e rishikimit te udhëzuesit të standarteve të garantimit të cilësisë në zonën europiane të arsimit të lartë. Mirëpres rekomandimet mbi vlerat themelore, lirinë akademike dhe integritetin, autonominë institucionale, pjesmarrjen e studentëve dhe stafit akademik si dhe përgjegjësia publike në arsimin e lartë dhe mekanizmin e monitorimit të këtyre më lart. Kjo është një nevojë e domosdoshme për të përmbushur pritshmëritë e shoqërisë moderne”, tha Hansen.
Ndërkohë, kryeministri Rama nënvizoi se duhet më tepër buxhet për arsimin duke parashtruar edhe nevojën për një bashkëpunim në nivel organizativ.
“Kur sheh që bota demokratike ka patur mundësinë të shpenzojë kaq shumë para për ti bërë rezistencë një agresioni, ndërkohë në fushën e arsimit vazhdon të shtrëngohet për buxhetet..kjo na bën të reflektojmë. Unë mendoj që ka ardhur koha që ne të ndërtojmë një NATO për arsimin. Na duhet një organizatë si NATO por për arsimin sepse ajo që shikojmë gjithnjë e më shumë është që urrejtja dhe mosrënia dakort për institucionet demokratike po shtohet gjithnjë e më shumë në të gjithë cepat e globit dhe bazohet në një sistem që e ushqen këtë”, u shpreh Rama.
Vendi ynë ka nisur zbatimin e procesit të Bolonjës në vitin akademik 2003-2004 me qëllimin që të përafrohen sistemet e edukimit duke lehtësuar njohjen e diplomave dhe konkurencë të barabartë në tregun europian të punës, për të gjithë studentët e diplomuar. /vizionplus.tv