Të nderuar aleatë, Mbetet një kënaqësi e veçantë për mua që të përshëndes në emër të të gjithë socialistëve shqiptarë Kongresin e partisë kryesore aleate. Tashmë prej më shumÃ
Të nderuar aleatë,
Mbetet një kënaqësi e veçantë për mua që të përshëndes në emër të të gjithë socialistëve shqiptarë Kongresin e partisë kryesore aleate. Tashmë prej më shumë se një dekade dy partitë tona kanë realizuar një partneritet real politik dhe programor duke duke i bërë ballë regjimit të Berishës dhe më pas duke rindërtuar së bashku Shqipërinë moderne dhe europiane. Në këtë kuptim evoluimi politik i dy partive tona drejt një programi socialdemokrat u bë shtrati i vërtetë i bashkëpunimit dhe aspak interesat e karrierës dhe të posteve.
Dhjetë vjet më parë ju morët një vendim historik për fatet e shtetit dhe demokracisë shqiptare si dhe për historinë e mëpasme tuajën dhe të së majtës shqiptare në tërësi, braktisët maxhorancën e atëherëshme dhe u bashkuat në mënyrë të qartë dhe politike e atdhetare me JO-në e referendumit që ndaloi kurorëzimin e Berishës mbret.
Dhjetë vjet më pas jemi këtu së bashku. Tani me një bilanc të jashtëzakonshëm arritjesh dhe përvojash edhe si opozitarë, por veçanërisht si parti në pushtet. PSSH, si partia më e madhe e koalicionit të majtë progresist ka vlerësuar gjithnjë kontributin tuaj në transformimin dhe modernizimin e Atdheut tonë të përbashkët. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të ndajmë së bashku përgjegjësitë, përfitimet dhe kostot politike të qeverisjes së mirë edhe për një mandat të ri që do nisë në verën e vitit 2005. Pse e themi këtë? Sepse kemi bindjen që buron nga ato që kemi arritur. Kemi përparuar Shqipërinë që e morrëm në mes të flakëve, kemi realizuar pajtimin real kombëtar, kemi dhënë një kontribut të pamohueshëm në stabilitetin e rajonit tonë problematik, kemi siguruar trefishimin e të ardhurave për çdo qytetar shqiptar brenda periudhës sonë qeverisëse, kemi zgjeruar hapësirat e lirive dhe forcuar edhe më tej shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike.
Dy partitë tona janë anëtare të Internacionales Socialiste jo për inventar të së majtës ndërkombëtare, por për meritë të ndryshimeve që kanë inicuar dhe realizuar brenda vetes, në spektrin politik, në jetën parlamentare dhe institucionale, nëpërmjet demokratizimit dhe modernizimit.
Institucionalizimi edhe nga socialdemokratët shqiptarë i konkurimit alternativ për drejtimin e Partisë apo zgjedhjen në forume drejtuese është një dëshmi e pakontestueshme se e majta përfundimisht përbën formacionin politik më progresist të vendit. Unë jam i bindur se ky konkurim nuk do të bjerë në nivelin e kontestimit te bashkëqeverisjes, por do të mbahet në nivele të konkurimit politik dhe programor. Me këto zhvillime ne po dëshmojmë në mënyrë të qartë se dimë të prodhojmë kandidatë konkurues brenda nesh dhe vetëm në sajë të këtij konkurimi vlerash ne do të jemi në gjendje të dalim përherë fitues përballë opozitës së vjetër,
të prodhojmë alternativa realiste për zhvillim,
të prodhojmë sfida dhe t'i përballojmë,
të prodhojmë zgjidhje që përmirësojnë jetesën në të gjitha standartet e saj,
të prodhojmë shpresë për anëtarësinë, simpatizantët dhe zgjedhësit tanë.
Unë gjykoj se tashmë është krijuar përvoja e nevojshme që ata që nuk fitojnë dot garën nuk ka pse të krijojnë shizma të panevojëshme apo parti apo lloj lloj lëvizjesh të coroditura që në thelb e dobësojnë të majtën dhe i japin ndihmë forcave regresiste të opozitës së vjetër. Kjo është demokracia: të mësohesh ta pranosh humbjen duke respektuar votimindhe të bashkëjetosh, sepse ato që na bashkojnë janë shumë më tepër nga ato që na bëjnë të ndryshëm. Vetëm një njeri politik në Shqipëri nuk e ka kuptuar këtë edhe pse ka më shumë se një dekadë që vërtitet si makth në gjirin e kësaj politike dhe ky është Sali Berisha.
Motra e vëllesër të familjes socialdemoikrate,
Marrëdhëniet mes PSSH-së dhe PSD-së, pavarësisht uljeve dhe ngjitjeve, në thelb janë karakterizuar nga një vullnet i përhershëm për të bashkëqeverisur duke respektuar ndarjen e përgjegjësive sipas kontributeve. Ne duhet të pohojmë këtu se shpesh herë vullneti i drejtuesve apo forumeve të zgjedhura qendrore të dy partive është vënë në diskutim nga të zgjedhur lokalë. Prandaj dua të përfitoj nga rasti dhe t'ju bëj thirrje që partneritetin ta shtrijmë dhe ta bëjmë real në të gjitha nivelet e qeverisjes, në të gjitha qarqet, bashkitë dhe komunat e vendit, në të gjitha zonat elektorale apo komunitetet e banorëve. Por kjo nuk do të mund të bëhet nëse biem pre e të korruptuarve dhe të paaftëve të cilët ndryshojnë parti duke e shndërruar këtë si një mekanizëm që i sjell në drejtim. Vetëm mbi një aleancë të qartë politike që qëndron larg interesave të karrierës së pamerituar ne do të mundemi të fitojmë së bashku dhe ndjeshëm edhe zgjedhjet e vitit 2005. Vetëm mbi këtë bazë ne do të mundemi që së bashku të fitojmë edhe zona që për shkak të mosmarrëveshjeve tona konsiderohen padrejtësisht bastione të Berishës dhe kukullave të tij. Koalicioni nuk është një lopë që duhet mjelë, por një tokë e përbashkët që duhet punuar në dobi të shtetasve, të zhvillimit, të modernizimit dhe të integrimit të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik.
Rroftë aleanca mes PSSH dhe PSD!
Punë të mbarë dhe suksese!