Të rinjtë, aktivë në verë, qendra “Atelie” në Shkodër kurse për zhvillimin e aftësive

Kurset verore të organizuara nga Qendra Rinore Atelie në Shkodër janë kthyer në një alternativë për t’i mbajtur të rinjtë të angazhuar gjatë pushimeve, duke ndërthurur aktivitetet me marrjen e dijeve dhe njohurive të reja.
“Kemi ofruar një gamë të gjerë kursesh verore, i kemi quajtur një shkollë verore me pesë kurse, ku tashmë, për shkak të fluksit, shtuam edhe një tjetër, kursin e fotografisë dhe marketingut vizual, i cili i përshtatet edhe tregut të punës që të rinjtë kërkojnë, i përshtatet interesit të tyre, që tashmë rrjetet sociale janë në trendet e tyre më të larta”, Mirza Berdica Drejtore, Qendra Rinore “Atelie”.
Kurset janë drejtuar nga ekspertë të fushave përkatëse, të cilët kanë ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre me pjesëmarrësit.
“Ekspertët që po i japin këto kurse janë përzgjedhur nga ana jonë që të jenë profesionistë të fushës, të rinjtë të ndihen që po marrin një diçka të një vlere të shtuar me kurset dhe certifikata që ne japim për pjesëmarrjen e tyre”, tha ajo.
Interesi për t’u bërë pjesë e kurseve ka qenë i lartë.
“Kursi që ka pasur interes dua t’ia lë meritën krijimit të kontentit dhe marketingut dixhital, por edhe fotografisë dhe marketingut vizual, por edhe kursi i floristëve, edhe pse është fokusuar vetëm në vajza. Kemi pasur 15 vajza të mrekullueshme artiste që e kanë ndjekur çdo ditë kursin për katër ditë me radhë”, tha ajo.
Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht të grupmoshës 16 deri në 20 vjeç. Përmes këtyre kurseve, Qendra Rinore Atelie synon të krijojë hapësira ku të rinjtë jo vetëm të kalojnë kohën e lirë, por edhe të zhvillojnë aftësi dhe të fitojnë njohuri të reja.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/