E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë e Shkodrës u shpërndajnë ujë policëve në rrugë si mënyrë falënderimi

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Të rinjtë e Shkodrës kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të falënderuar efektivët e Policisë së Shtetit që këto ditë të nxehta vijojnë të jenë në rrugë për menaxhimin e trafikut.

Ata kanë shpërndarë ujë për punonjësit e Policisë që ishin të angazhuar në kontrollin e trafikut, duke e cilësuar këtë si një gjest të vogël mirënjohjeje për punën dhe shërbimin e tyre ndaj qytetarëve.

“Sot kemi dalë për t’u thënë faleminderit policëve që janë në rrugë, në këtë vapë, për të kontrolluar trafikun, por edhe që ditë për ditë mbrojnë qytetin tonë. Është një gjest i vogël nga ana jonë, por edhe një shembull se si edhe ne si të rinj mund të japim kontributin tonë”, u shprehën të rinjtë.

Në mesazhin e tyre, ata iu drejtuan edhe qytetarëve të Shkodrës, duke i ftuar të përdorin më shumë biçikletat, të ecin në këmbë dhe të shfrytëzojnë transportin publik, me qëllim uljen e trafikut dhe ndotjes në qytet.

“Të rinjtë duan të japin një mesazh që të gjithë qytetarët e Shkodrës të shmangin trafikun, të përdorin biçikleta, të ecin në këmbë dhe të përdorin gjithashtu transportin publik. Sa më pak makina, aq më pak trafik dhe aq më pak ndotje për qytetin e Shkodrës”, thanë ata.

Edhe qytetarë të Shkodrës vlerësojnë përdorimin e biçikletës si një alternativë praktike për lëvizjen në qytet.

Sipas tyre, biçikleta është një mjet i shpejtë, ekonomik dhe që nuk krijon ndotje, ndërsa ndihmon edhe në reduktimin e trafikut.

“Biçikleta është një mjet shumë i mirë komunikimi, është edhe më ekonomik, nuk shpenzon, por ndihmon edhe në shmangien e trafikut. Është një mjet i sigurt, i mirë dhe ekonomik”, shprehen qytetarët.

Nisma e të rinjve vjen si një mesazh solidariteti dhe mirënjohjeje për punonjësit e Policisë që vijojnë të kryejnë detyrën në kushtet e temperaturave të larta, ndërsa promovon njëkohësisht edhe përdorimin e mjeteve alternative të transportit në Shkodër.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›