Të rinjtë eksplorojnë perlat e trashëgimisë kulturore dhe shenjojnë shtigjet

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Në kuadër të një programi të EU4Culture të rinj entuziastë kanë eksploruar thesaret historike të vendit tonë.
Pas një eksperience të paharrueshme në Kepin e Rodonit, grupi rinor zbuloi dy perla të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare: Urën e Kurcajt dhe Kishën e Manastirit të Rubikut.
Ura e Kurcajt e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, është restauruar nga UE4Culture pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019. Restaurimi u financua nga Bashkimi Evropian dhe u zbatua nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.
E ndërtuar në shek. XVIII, si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurcajt është një pikë lidhjeje me historinë, dhe një atraksion turistik. Grupi i të rinjve jo vetëm eksploroi, por edhe kontribuoi në pastrimin e zonave përreth dhe shenjimin e shtigjeve për vizitorët e ardhshëm.
Kjo përvojë unike tregoi se si përkushtimi ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore mund të krijojë kujtime të paharrueshme dhe të frymëzojë respekt për identitetin tonë kombëtar. /j.p/
1 nga 5