E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë rigrumbullohen në protestë para Ministrisë së Arsimit, përplasen me policinë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Të rinjtë kanë bojkotuar edhe sot mësimin duke iu përgjigjur thirrjeve për protestë në ditën e tretë në Tiranë.

Studentë dhe gjimnazistë marshuan nga disa drejtime për te sheshi “Skënderbej” e më pas janë mbledhur sërish afër godinës së Ministrisë së Arsimit.

Që në nisje të protestës, të rinjtë goditën me gurë drejt godinës së Ministrisë Arsimit ndërsa policia reagoi duke i shpërndarë me spraj lotsjellës.

Po ashtu, protestuesit gjatë marshimit u ndalën te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke goditur me gurë drejt xhamave të godinës.

Në terren ndodhen forca të shumta të Policisë, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve.

Situata është përshkallëzuar te Rruga e Durrësit pasi një operator i mediave vizive është goditur në shpinë nga protestuesit. Ndërsa disa prej protestuesve kanë shkulur tabelat gjatë rrugës si dhe pllaka nga trotuaret dhe  i kanë hedhur drejt forcave të Policisë.

Policia ka ndërhyrë disa herë me ujë me presion për të shpërndarë të rinjtë që godisnin me gurë dhe pllakat e trotuarit.

Raportohet se Policia ka nisur edhe shoqërimet e protestuesve.

Mediet raportojnë se edhe studentë nga rrethet kanë bojkotuar mësimin.

Pas përplasjeve me policinë, protestuesit nisën marshimin drejt Kuvendit, ndërkohë që seanca plenare e planifikuar për sot u anulua.

k.s/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›