Të shtëna me armë në Ali Demi, arrestohet 32-vjeçari: Dyshohet se reagoi pasi humbi në baste

Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e zonës së Ali Demit në Tiranë, ku një 32-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët.
Sipas burimeve hetimore, autori është Amarild Xhamaqi, i cili dyshohet se kishte humbur para në baste sportive dhe më pas, teksa lëvizte me automjetin e tij në rrugët e zonës, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në ajër.
Burimet bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçari nuk ka dhënë shumë shpjegime për motivet e veprimit të tij.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të Komisariatit Nr. 1, i riu u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë pak minuta pas ngjarjes.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, si dhe municion luftarak. Gjithashtu u bllokua edhe automjeti me të cilin po lëvizte.
Sipas Policisë së Shtetit, dyshohet se 32-vjeçari ka qëlluar në ajër nga automjeti i tij në zonën e Ali Demit, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Amarild Xhamaqi është një emër i njohur për policinë, pasi është proceduar edhe më parë për probleme të ndryshme me ligjin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.