E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vegjlit të rrezikuar nga virozat, mjekët në Postribë: Situata nën kontroll, kërkohet vigjilencë nga prindërit

Gjatë ditëve të fundit është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve me infeksione virale në zonën e Postribë, ku janë regjistruar disa raste.

Sipas mjekëve të qendrës shëndetësore, më të prekurit janë fëmijët e moshës 1 deri në 4 vjeç. Simptomat më të shpeshta të raportuara janë temperaturë, kollë dhe lodhje trupore.

Mjeku i Qendrës Shëndetësore Mes, Sokol Zhabjaku, bën me dije se situata mbetet nën kontroll, por apelon për kujdes të shtuar nga ana e prindërve.

“Mosha nga 1-4 vjeç janë më të rriskuar me probleme të traktit intestinal, mjafton që të zëvendësojnë lëngjet e humbura”, u shpreh mjeku.

Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin në lëndina në këtë zonë, për të evituar pickimet nga insektet, të cilat mund të ndikojnë në përhapjen e infeksioneve.

“Ne bëjmë propagandë me prindërit që të bëjnë kujdes që të kenë kujdes fëmijët nga pickimi i insekteve të cilët janë shumë të shpeshtë në këtë periudhë”, tha Zhabjaku.

Bluzat e bardha në Qendrën Shëndetësore Mes janë në shërbim edhe të turistëve që vizitojnë Luginën e Kirit, Urën e Mesit dhe Kalanë e Drishtit.

Personeli mjekësor u bën apel të gjithë banorëve të zonës që të mos neglizhojnë simptomat dhe të mos marrin medikamente pa u konsultuar më parë me mjekun.

Gazetar: M. Rakaj 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›