Të vetëpunësuarit në bujqësi, futen në skemë 587 persona nga qarku i Korçës

Sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi është një mënyrë për të gjithë fermerët për tu vetësiguruar duke paguar një masë prej 38 400 lekësh në vit për të përfituar pension kur të mbushin moshën e caktuar. Burime zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë, thonë se ata që kryejnë pagesa sigurimi si të vetëpunësuar në bujqësi për vitin 2025, kanë paguar gjithashtu edhe sigurimin shëndetësor, i cili shkon në vlerën 3768 lekë në vit.
587 persona nga qarku i Korçës janë futur gjatë 2025 për herë të parë në skemë e të vetëpunëusarve në bujqësi, ndërsa 3601 të tjerë kanë qenë në vazhdim të kësaj skeme.
Në total janë 4188 persona të cilët janë të përfshirë në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi në të gjithë qarkun e Korçës. Sa i takon personave që kanë hyrë për herë të parë në këtë skemë, më të shumtët kanë qenë nga bashkia e Pogradecit, Korçës e Devollit dhe më të paktë nga Kolonja. Të njëjtat burime thonë gjithashtu se për të gjithë qytetarët që do të paguajnë për periudha para vitit 2025 do të aplikohen edhe kamatëvonesa për çdo ditë vonesë. Skema e të vetëpunësuarve në bujqësi është mjaft e kërkuar nga ana e fermerëve pasi nëpërmjet saj, ata kanë mundësi të kryejnë pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe të sigurojnë një pension pleqërie, kur të mbushin moshën për ta përfituar.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/