E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Operës, aktivitete brenda dhe jashtë Shqipërisë përgjatë qershorit

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor publikoi kalendarin artistik të parashikuar për muajin qershor.

“Së bashku me stinën e bukur të verës, vjen edhe një kalendar i pasur artistik, i mbushur me aktivitete që do të sjellin emocione, frymëzim dhe momente të paharrueshme për publikun”, shkruhet në faqen e TKOBAP, ku renditen aktivitetet, nga koncertet simfonike e muzika e dhomës, tek aktivitetet edukative, turnetë ndërkombëtare të Korit dhe Ansamblit Popullor, si dhe premiera botërore e baletit “Radian”.

Kalendari i qershorit në TKOBAP parashikon një takim muzikor kushtuar instrumentit të kornos, ku të rinjtë patën mundësinë të njiheshin nga afër me tingullin, historinë dhe veçantitë e një prej instrumenteve më elegante të orkestrës simfonike.

Në datat 5, 6, 7 qershor Kori i TKOBAP do të ketë aktivitete jashtë Shqipërisë, në Festivalin e Svigliano-s.

Në 11 qershor, do të zhvillohet koncerti “Eja këndo me ne” me korin e formuar nga nxënësit e 50 shkollave 9-vjeçare të Tiranës.

Data 12 qershor do të zhvillojë në Gjakovë, një koncert të përbashkët të Ansamblit Popullor me Ansamblin “Shota” te Kosovës, njëkohësisht, në qytetin e Vlorës do të ketë një koncert gala “Tingujt e një nate vere”, dirigjuar nga Oleg Arapi.

21 qershori shënon Ditën e Muzikës, e cila do të kremtohet me aktivitete të ndryshme të TKOBAP.

“Vox barok” është koncerti i parashikuar për datën 25 qershor me muzikë baroke.

Ansambli Popullor do të performojë në Gorizia të Italisë, në Piccolo Opera Festival, një festival i grupeve polifonike.

Muaji do të mbyllet me premierën botërore të baletit “Radian” me koreografi nga Edi Blloshmi dhe muzikë nga Robert Bisha, në datat 29 dhe 30 qershor. /j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›