“Tema e Ditës” – Xhaferi: “Non grata” e Berishës nga SHBA ka rënë, çështje kohe të shpallet publikisht. Opozita të ngrihet në protesta për 11 Majin

Deputeti i Partisë Demokratike, Besard Xhaferi, ka deklaruar se shpallja “non grata” e kreut të PD Sali Berisha nga SHBA “ka rënë” dhe sipas tij është vetëm çështje kohe që kjo të konfirmohet publikisht nga autoritetet amerikane.
I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, me gazetarin Arbër Hitaj, Xhaferi tha se gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA është takuar me kongresmenë amerikanë, të cilëve u ka kërkuar mbështetje për forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe për ndalimin e rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë.
“Isha në SHBA për të faktuar farsën e 11 majit, ku u takova me kongresmenë dhe do kërkoj nga homologët dhe miqtë tanë që një vend partner si Shqipëria nuk mund të rrëshqasë drejt autokracisë. Unë mendoj se ‘non grata’ e Sali Berishës nga SHBA ka rënë dhe është vetëm çështje rutinë formale për t’u shpallur publikisht,” deklaroi Xhaferi.
Demokrati i ri theksoi se qëllimi i tij në politikë është të sjellë risi dhe jo të kopjojë figurat ekzistuese.
“Unë në politikë jam futur për të sjellë risi dhe jo për të kopjuar politikanë të ndryshëm të suksesshëm. Dua të sjell origjinalitetin tim me deklarata të pavarura nga ana ime,” shtoi ai.
Thirrje për aksion të fortë opozitar dhe protesta të pandaluara
Xhaferi u ndal edhe te raporti i fundit i OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke e cilësuar atë një “skaner të gjendjes së demokracisë shqiptare”. Ai tha se opozita nuk duhet të qëndrojë pasive ndaj gjetjeve të raportit, por të ndërmarrë veprime konkrete. Ai shtoi se brenda PD-së ka nisur procesi i analizës për zgjedhjet e 11 majit dhe se partia do të vazhdojë të lobojë me faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të forcuar pozitën e saj në arenën politike.
“Mendoj se raporti i OSBE/ODIHR-it nuk duhet të kalojë pa një aksion të fortë të opozitës, të prekshëm, dhe duhet të ketë protesta të pandaluara për të rikthyer sërish zgjedhjet e lira në Shqipëri. Nuk duhet të ndalet as lobimi në çdo kancelari të botës. Tani fillon faza që të gjithë eksponentët e PD-së duhet të lobojnë me faktorin kombëtar, bazën, qytetarët, rrethet dhe me faktorët ndërkombëtarë. Do të ketë lobim në të gjitha kancelaritë botërore.
Tani do të fillojë analiza e partisë për zgjedhjet e 11 majit, dhe ai raport është ashtu siç është për shkak të fakteve të PD-së. Vetëm ODIHR na ka falënderuar për provat dhe faktet që kemi dorëzuar për problematikat në zgjedhje. Analiza jonë brenda PD-së ka nisur; tani do të bëhet zyrtare, por jemi në një fushatë të pjesshme elektorale dhe mund të presë edhe pak javë. Aty ku nuk ka fushatë, analiza ka nisur. Raporti është si një skaner që të tregon gjendjen e trupit”, tha Xhaferri.
Duke folur për reformën zgjedhore dhe sistemin politik, Xhaferi u shpreh se Shqipëria ka nevojë për ndryshim të thellë institucional. Ai propozoi modelin maqedonas si formë të suksesshme të garantimit të zgjedhjeve të ndershme.
“Mendoj se sistemi duhet të ndryshojë. Nuk mohoj asnjë problem apo defekt që çdo forcë opozitare mund të ketë, por sistemi ku gjendemi është për të ardhur keq. Nuk flas për kodin elektoral apo anën teknike, por për një parti që ka ardhur në pushtet që në vitin 2013 dhe fokusi nuk ka qenë mirëqeverisja, por fushatat elektorale. Forma më perfekte është ajo e Maqedonisë së Veriut, e cila e ka taksative në kushtetutë që 100 ditë para zgjedhjeve të vendoset qeveri teknike dhe ajo ka funksionuar”, tha ai.
Zgjedhjet në 5 bashki
Duke folur për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, Xhaferi tha se përgatitjet janë në nivel maksimal dhe se kandidatët e opozitës përfaqësojnë figura të respektuara nga komuniteti, të mbështetura gjerësisht. Sipas tij, këta kandidatë nuk janë zgjedhur nga “oborri i partisë”, çka përbën një hapje reale të Partisë Demokratike ndaj shoqërisë.
“Përgatitja është maksimale. Kandidatët tanë janë të respektuar nga komuniteti, janë të pavarur dhe mbështeten nga i gjithë spektri opozitar. Janë burra dhe trima që do t’i tregojnë regjimit se opozita është në formën më të lartë dhe nuk do përkulet. Përballë do kenë makinerinë që ka nisur të përdorë çdo gjë, si edhe presionin. Shpresoj që këtë herë të ketë sukses formati i opozitës dhe të bëhet manual për zgjedhjet e së ardhmes. Unë mendoj se është një hapje e partisë që, duke rezultuar e suksesshme, mund të bëhet model për të ardhmen”, tha ai.
/rtsh.al/