E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Tema e Ditës’/Përfaqësuesi i PD-së, Kedhi : Lëvizja Salianji është zgjedhje personale, PD ruan marrëdhënie të mira me SHBA

Në emisionin “Tema e Ditës” të gazetarit Arbër Hitaj, u diskutuan zhvillimet më të fundit politike në Partinë Demokratike, aksionet e opozitës dhe lëvizja e ish-deputetit Ervin Salianji, si edhe marrëdhëniet e PD-së me Shtetet e Bashkuara.

I ftuar në studio ishte Nikola Kedhi, këshilltar pranë Grupit Parlamentar të PD-së nga departamenti “Brain Gain”, i cili theksoi se aksioni opozitar do të vijojë dhe se shoqëria shqiptare duhet të reagojë ndaj situatës aktuale në vend.

Në lidhje me lëvizjen e ish-deputetit Ervin Salianji, Nikola Kedhi u shpreh se kjo është një zgjedhje personale e tij dhe nuk përfaqëson një vendimmarrje të forumeve të Partisë Demokratike.

Ai theksoi se qëndrimi zyrtar i PD-së është i qartë se kush kalon vijën e kuqe vetëpërjashtohet nga partia.

Sipas Kedhit, çdo lëvizje që synon forcimin e demokracisë dhe proceseve të brendshme është e mirëpritur, por duhet të zhvillohet brenda strukturave dhe forumeve të partisë.

Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Kedhi mohoi se ekziston një ngërç mes PD-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas tij, PD ka marrëdhënie shumë të mira me SHBA dhe falë angazhimit të opozitës është rritur ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar për situatën në Shqipëri. Ai kujtoi se janë miratuar shtatë rezoluta ndërkombëtare që lidhen me zgjedhjet, krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke theksuar se pa këtë qasje të PD-së, ato nuk do të kishin kaluar.

Duke komentuar situatën brenda PD-së dhe lëvizjen “Salianji”, Kedhi theksoi se qëndrimi zyrtar i partisë është ai i shpallur nga drejtuesit, përfshirë Sali Berishën.

“Nëse kalon vijën e kuqe vetëpërjashtohesh. Dhe me bashkëpunim me grupet e ndryshme, qoftë të botës së krimit apo me grupimet e tjera që nuk përputhen me PD-në, je i vetëpërjashtuar. Përsa i përket lëvizjeve brenda një partie politike, unë jam pro çdo lëvizje që ka si synim forcimin e demokracisë dhe proceseve të ndryshme për të fuqizuar atë parti, por këto bëhen brenda forumeve. Nëse drejtuesit e kryesisë thonë që këto çështje nuk janë ngritur nga z. Salianji brenda forumeve të tjera, kemi problem dhe ka diçka që nuk shkon. Më pas është dhe koha kur z. Salianji ka zgjedhur këtë aksion të vetin dhe në këtë formë,” – u shpreh Kedhi.

Një tjetër temë e analizuar nga përfaqësuesi demokrat ishin marrëdhëniet e PD-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kedhi mohoi se ka një ngërç mes PD-së dhe SHBA-së, duke përmendur takimet e vazhdueshme të drejtuesve demokratë me zyrtarë amerikanë.

“Unë nuk mendoj që PD ka një ngërç me SHBA. Kemi parë vazhdimisht takime të drejtuesve të PD-së në Departamentin e Shtetit. Z. Bardhi, kryetari i grupit parlamentar të PD dhe nënkryetarë të PD kanë zhvilluar takime në Shtëpinë e Bardhë si dhe në Departamentin e Shtetit. Funksionarë të tjerë të PD-së kanë qenë në takime të tilla dhe nuk shikoj të ketë ndonjë problem. Ngërç është kur përfaqësues të SHBA-së refuzojnë të takojnë përfaqësues të PD-së. PD ka marrëdhënie shumë të mira me partnerët ndërkombëtarë dhe falë punës së PD-së sot kemi ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar për atë që ndodh në Shqipëri dhe rritje të presionit ndaj qeverisë shqiptare,” – tha Kedhi.

Ai kujtoi se janë miratuar shtatë rezoluta ndërkombëtare për situatën në Shqipëri, që lidhen me zgjedhjet, krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke theksuar se pa angazhimin e PD-së këto nuk do të kishin kaluar.

Nikola Kedhi theksoi se opozita po përgatitet për protesta masive e afatgjata më 24 janar, duke ftuar qytetarët të shprehin revoltën e tyre në shesh e bulevard dhe jo vetëm në rrjete sociale.

“Denoncimet, skandalet që plasin çdo ditë dhe veprimtaria e SPAK bëjnë që populli shqiptar ta kuptojë se sa të vjedhur ata janë. Ndaj mendoj dhe besoj se ka ardhur koha që të reagojnë, sepse interesat e vendit janë duke u shitur tek grupet e ndryshme. Unë nuk mendoj se ka ndonjë rrugë tjetër përveç revoltës, ndaj mendoj se ka ardhur momenti që qytetarët të kenë një mënyrë reagimi,” – u shpreh Kedhi.

Ai shtoi se të gjithë skenarët janë duke u diskutuar për protestën e opozitës të paralajmëruar më 24 janar, përfshirë grevën e urisë dhe qëndrimin e zgjatur në bulevard.

“Unë e besoj fort që duhet të ketë protesta masive dhe afatgjata. Jo thjesht një xhiro në bulevard dhe njerëzit të ikin sërish në shtëpi. Situata ka arritur në atë pikë saqë njerëzit nuk mendojnë se revoltën ta shprehin nëpër rrjete sociale apo kafene, por ta shprehin në shesh dhe bulevard,” – tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›